Gati gjysma e shqiptarëve kanë vështirësi të mbyllin muajin, e dyta në Europë
46.3% e shqiptarëve deklarojnë se e përballojnë jetesën me vështirësi ose shumë vështirësi, sipas Eurostat.
“Duke menduar për të ardhurat totale të familjes suaj, a është familja në gjendje të mbyllë muajin, pra të paguajë shpenzimet e zakonshme të nevojshme?” Kjo është pyetja që Eurostat u drejton familjeve në Europë për të matur aftësinë e tyre për të përballuar jetesën. Për shumë familje shqiptare, mbyllja e muajit mbetet një sfidë e madhe.
Në Shqipëri, 32.9% e popullsisë deklaron se e ka të vështirë të mbyllë muajin, ndërsa 13.4% e përballon jetesën me shumë vështirësi. Të marra së bashku, këto dy kategori përbëjnë 46.3% të popullsisë, sipas të dhënave të Eurostat, të cilat për Shqipërinë janë të disponueshme për vitin 2023.
Shqipëria e dyta pas Greqisë për vështirësitë financiare
Me 46.3% të popullsisë që deklaron vështirësi ose shumë vështirësi për të mbyllur muajin, Shqipëria renditet e dyta në Europë, pas Greqisë. Në Greqi, kjo përqindje arrin në 67%, ku 35% deklarojnë se e përballojnë muajin me shumë vështirësi dhe 32% me vështirësi.
Në Bashkimin Europian, mesatarja e popullsisë që deklaron vështirësi ose shumë vështirësi për të mbyllur muajin ishte 17.6% në vitin 2025, përkatësisht 11.2% në kategorinë “me vështirësi” dhe 6.4% në kategorinë “me shumë vështirësi”.
Edhe në raport me vendet e rajonit, Shqipëria shfaqet në nivele të larta. Në Maqedoninë e Veriut, pesha e personave që kanë vështirësi ose shumë vështirësi për të mbyllur muajin arrin në 43.8%, në Malin e Zi në 37.9% dhe në Serbi në 31.2%.
Pagat në Shqipëri mbeten ndër më të ulëtat në rajon
Pamundësia për të mbyllur muajin lidhet edhe me nivelin e pagave, që në Shqipëri mbetet ndër më të ulëtat në rajon. Sipas të dhënave të publikuara më herët nga Monitor, paga mesatare bruto në Shqipëri arriti në rreth 860 euro në muaj në vitin 2025.
Në të njëjtin vit, paga mesatare bruto ishte rreth 1,290 euro në Serbi, 1,245 euro në Bosnjë-Hercegovinë, 1,206 euro në Malin e Zi dhe rreth 1,100 euro në Maqedoninë e Veriut. Vetëm Kosova kishte një pagë mesatare bruto më të ulët, prej 713 eurosh në vitin 2025.
Diferenca me Bashkimin Europian është edhe më e madhe. Paga mesatare bruto vjetore për një punonjës me kohë të plotë në BE ishte rreth 39,800 euro në vitin 2024, ose rreth 3,317 euro në muaj. Në Shqipëri, pagat bruto vjetore janë rreth 10 mijë euro, afërsisht sa një e pesta e nivelit europian.
Çmimet e ushqimeve kalojnë mesataren e Bashkimit Europian
Presioni mbi buxhetet familjare shtohet edhe nga niveli i çmimeve. Në vitin 2025, çmimet e ushqimeve në Shqipëri arritën në 102.9% të mesatares së Bashkimit Europian, duke e kaluar për herë të parë nivelin mesatar europian. Kjo e vendos Shqipërinë edhe në krye të rajonit për nivelin e çmimeve të ushqimeve, duke e bërë diferencën mes të ardhurave dhe kostos së jetesës një tjetër faktor që rëndon mbi familjet.
Si matet aftësia për të mbyllur muajin
Sipas metodologjisë së Eurostat, treguesi “Aftësia për të mbyllur muajin” bazohet në vlerësimin e familjes për nivelin e vështirësisë që përjeton për të përballuar shpenzimet e zakonshme, duke marrë në konsideratë të ardhurat totale të familjes dhe të gjitha burimet e të ardhurave, përfshirë edhe ato të parregullta. Shpenzimet e zakonshme përfshijnë kostot e lidhura me banesën, ndërsa përjashtohen shpenzimet e biznesit dhe të fermës.
Pyetja e përdorur në anketë është: “Duke menduar për të ardhurat totale të familjes suaj, a është familja në gjendje të mbyllë muajin, pra të paguajë shpenzimet e zakonshme të nevojshme?” Përgjigjet ndahen në gjashtë kategori: me shumë vështirësi, me vështirësi, me disa vështirësi, relativisht lehtë, lehtë dhe shumë lehtë. Për treguesin “me vështirësi ose me shumë vështirësi”, Eurostat bashkon dy kategoritë e para.
Në BE, 17.6 për qind e popullsisë ka vështirësi të mbyllë muajin
Sipas Eurostat, në vitin 2025, 17.6% e popullsisë së Bashkimit Europian përjetoi vështirësi ose shumë vështirësi për të mbyllur muajin. Në skajin tjetër, 26.4% e popullsisë ishte në gjendje ta përballonte jetesën lehtë ose shumë lehtë, ndërsa 56.1% e përballonte muajin relativisht lehtë ose me disa vështirësi.
Duke i grupuar gjashtë kategoritë e aftësisë për të mbyllur muajin në dy grupe, me vështirësi dhe pa vështirësi, rezulton se 42.5% e popullsisë së BE-së kishte të paktën disa vështirësi për të mbyllur muajin në vitin 2025. Pesha ndryshonte ndjeshëm mes vendeve europiane, nga 18.3% në Gjermani dhe 19.8% në Holandë, deri në 76.9% në Bullgari dhe 87.1% në Greqi.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)